Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Java përmbyllëse me derbin në Ferizaj

Xhiro e nëntë në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat) ka filluar para një jave me ndeshjen mes Shqiponjës dhe Jusuf Gërvallës. Fitore kishte shënuar Jusuf Gërvalla me rezultat 24:22. Ndeshjet tjera të javës së fundit të stinorit vjeshtor luhen këtë fundjavë, për shkak të ndeshjeve që Kombëtarja A e Kosovës i kishte në Turqi.

Ndeshjet Vushtrria – Kastrioti e Istogu – Drita luhen të shtunën (nesër). Vushtrria e vendit të tretë vlerësohet favorite ndaj Kastriotit të vendit të pestë, por ferizajaset do të mundohen të shkaktojnë befasi në ndeshjen që fillon në ora 16:00.

Ndërkohë kampioni aktual, Istogu vlerësohet favorit i madh ndaj Dritës së Gjilanit (15:00). Të dielen nga ora 18:00 janë ndeshjet Samadrexha – Vëllaznimi e Ferizaj – Prishtina. Samadrexha renditet e shtata me 5 pikë kurse Vëllaznimi i nënti me 3 pikë.

Kryendeshja e javës do të zhvillohet në mes të Ferizajt dhe Prishtinës. Ferizaj udhëheq në tabelë me 16 pikë. Skuadra debutuese ka fituar të gjitha tetë ndeshjet e deritashme dhe synon të përfundojë stinorin vjeshtor me fitore tjetër. Ndërsa Prishtina renditet e katërta me 12 pikë dhe synon suksesin për të mbajtur hapin me skuadrat lidere.