Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kampioni i gatshëm për derbin e parë të vitit

Në foto shihet një lojtare duke u gëzuar për golin e dhënë.

Istogu, Ferizaj, Prishtina e Vushtrria vlerësohet se do të luftojnë për titull të kampionit në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat).

Gara këtë edicion është shumë e fortë, ndërsa të gjitha këto katër skuadra kanë gjasat e tyre. Vendimtare mund të jenë përballjet direkte në mes të katërshes së madhe.

Derbi i parë i stinorit pranveror do të zhvillohet të shtunën nga ora 17:30 në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri, në kuadër të javës së 12-të. Do të takohen Vushtrria e Istogu, që edicionin e kaluar garuan për trofe. Edhe këtë edicion Vushtrria e Istogu kanë pretendimet e tyre.

Kampioni aktual, Istogu është i pari në tabelë me 20 pikë, ndërsa Vushtrria është e katërta me 16 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur. Vushtrria llogarit në përkrahjen e shikuesve, por istogaset udhëtojnë për fitore. Këtë e ka thënë kapitenja e skuadrës, Albina Rugova.

“Istogu është i gatshëm të paraqitet në këtë ndeshje. Jemi përgatitur shumë mirë, kemi pasur një fazë përgatitore të suksesshme dhe kohë të mjaftueshme. Fatmirësisht të gjitha lojtaret janë të gatshme”, ka thënë Albina Rugova, që është reprezentuese.

“Istogu udhëton për fitore. Me angazhim maksimal shpresoj që do t’ia arrijmë qëllimit”, shton Rugova.

Lojtarja e krahut vlerëson se të gjitha katër skuadrat e para kanë gjasa për të fituar trofe.

“Pres garë të fortë deri në fund të kampionatit. Secila skuadër do të mundohet të shfrytëzojë shanset e veta. Kjo e bënë garën për titull me interesante dhe më konkuruese. Vushtrria është një nga tre rivalët tanë”, ka deklaruar Rugova.

Ajo thotë se Istogu ka skuadër më të përgatitur se në vjeshtë dhe se loja e skuadrës është më kolektive dhe kompakte. Në kuadër të xhiros së tretë Istogu kishte fituar si vendas ndaj Vushtrrisë me rezultat 33:24.

Forca e Istogut dhe e Vushtrrisë në pjesën e dytë të kampionatit do të dëshmohet në derbin e së shtunës.