Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kapiteni Dedaj i bindur se Kosova do të arrijë nivel më të lartë

Përgatitjet e përfaqësueses së Kosovës në hendboll për ndeshjet kualifikuese për botëror janë në fazën përfundimtare. Hendbollistët e përzgjedhësit Taip Ramadani të mërkurën (nesër) e kanë stërvitjen e fundit para udhëtimit për në Portugali. Të enjten në orët e para të mëngjesit përfaqësuesja udhëton për në Portugali ku do të luajë tri ndeshje në kuadër të grupit të katërt të fazës së parë kualifikuese për botërorin e vitit 2019.

Kosova të premten përballet me Poloninë, të shtunën me Portugalinë, ndërsa të dielen me Qipron.
Ndeshjet e grupit të katërt luhen në Povoa do Varzim të Portugalisë. Vetëm fituesi i grupit kalon në fazën tjetër, atë të plejofit.

Përfaqësuesja është duke u përgatitur në Prishtinë, ndërsa kapiteni Valon Dedaj është bashkuar me grupin të dielen, pasi ka kryer obligimet në klubin e tij. Dedaj është i kënaqur me punën që po bëhet.

“Ndaj Qipros pres fitore, ndërsa me Portugalinë dhe Poloninë mendoj që do të jenë ndeshje më të vështira, pasi të dy këto përfaqësuese janë më të përgatitura. Jam shumë i kënaqur me punën që po bëhet në përfaqësuese. Mendoj që nëse përkushtohemi më shumë mund të arrijmë një nivel më të lartë. Besoj në ekipin që e kemi, mendoj se vetëm jemi duke ecur përpara”, ka thënë Dedaj të martën. Ai është i bindur se të gjithë lojtarët do të luftojnë deri në fund në të gjitha tri ndeshet.
“Na presin ndeshje të vështira, por prap se prap ne jemi shqiptarë, nuk do të dorëzohemi lehtë. Do të luftojmë deri në fund për të arritur një rezultat sa më të mirë. Besoj në përfaqësuese”, ka shtuar Dedaj.

Nën urdhërat e përzgjedhësit Ramadani aktualisht janë duke punuar 22 lojtarë. Të mërkurën (nesër) shtabi teknik do të vendo për 16 apo 17 lojtarët që do të udhëtojnë për në Portugali.

“Jam shumë I kënaqur me paraqitjen e lojtarëve. Kanë qenë të fokusuar në detyrat e tyre dhe kanë punuar me vullnet të madh”, ka thënë Ramadani.