Kapitenia e Kombëtares së Kosovës në hendboll, Leonora Demaj, ishte e pandalshme në ndeshjen e fituar ndaj Italisë, vitin e kaluar. Me Italinë përballemi sërish në fund të vitit, në kualifikimet për Botërorin 2021. Kombëtarja jonë është në grup me Austrinë dhe Italinë, kurse ndeshjet do të luhen në Austri, në fund të nëntorit apo fillim të dhjetorit.
Liderja e Kosovës, Demaj, nuk sheh arsye për të mos fituar sërish ndaj Italisë. Fitorja do të mjaftonte për të kaluar në fazën tjetër kualifikuese.
“Italinë e kemi mposhtur kështu që nuk shoh arsye pse të ndryshojë kjo. Austria është ekip mjaft i fortë dhe ka lojtare me përvojë. Mirëpo ne kemi bërë befasi më parë dhe do të ishte kënaqësi nëse ndodhë përsëri”, ka thënë Demaj për faqen zyrtare të FHK-së.
“Në Kombëtare ne luajmë me zemër dhe nuk dorëzohemi deri në sekondën e fundit. Pres që vajzat të japin maksimumin dhe të luftojmë për njëra-tjetrën. Më pas do të shohim se ku jemi kur të mbaron loja. Shpresoj dhe besoj se me lojë të mirë, me luftë, mund të arrijmë vendin e dytë. Kush e di, ndoshta edhe vendin e parë”, ka theksuar Leonora, që është duke sanuar një lëndim të gjurit.