Kastriot Jupa transferohet në Gjermani

Hendbollisti i Kombëtares së Kosovës, Kastriot Jupa, karrierën e vazhdon në Gjermani. Pivoti i parë i Kosovës është transferuar te skuadra LHC Cottbus, që ka synime të mëdha në kampionatin e ri. Jupa 29-vjeçar tashmë i është bashkuar skuadrës gjermane në fazën përgatitore, ndërsa ka shkëlqyer në ndeshjet kontrolluese.
Ai pritet të jetë lojtari kryesor i Cottbusit në kampionatin e ri, ndërsa shpresat e skuadrës për sukses më së shumti janë të mbështetura në cilësinë e pakontestueshme të hendbollistit kosovar.

Për dhjetë vjet, Kastriot Jupa ka luajtur për skuadrën pejane, Besa Famgas. Me Besën ka dominuar plotësisht në hendbollin kosovar. Plot gjashtë herë është shpallur lojtari më i mirë i vitit në Kosovës. Ai është shquar me paraqitje të mira edhe në kupa evropiane, ndërsa ka vendosur për hapin tjetër në karrierë.

Jupa ka treguar se klubi gjerman është i duhuri për të dhe se tashmë ka gjetur formën më të mirë. Ai është i gatshëm për ndeshjet e ardhshme të Kosovës, ndërsa mezi pret që të luaj sërish për ekipin kombëtar.
Jupa është kapiteni i dytë i Kombëtares së Kosovës. Ka 54 paraqitje deri më tani, që është numri më i lartë në të gjitha ekipet kombëtare të Kosovës, jo vetëm në hendboll. Ndërkohë i ka shënuar 182 gola.

Lajme tjera