Me rezultatin e lartë, 49:24, e ka fituar Kastrioti i Ferizajt ndeshjen e fundit të stinorit të rregullt në Superligën A për hendbollistë. Kastrioti e ka pritur të mërkurën mbrëma Vëllaznimin e Gjakovës dhe ka shënuar fitore të pritur. Pas pjesës së parë të ndeshjes Kastrioti – Vëllaznimi, rezultati ishte 25:9 për vendasit.
B. Syla i shënoi 11 gola për Kastriotin, ndërsa 10 herë realizoi F. Mustafa. Te Vëllaznimi i Gjakovës më efikasi ishte A. Neziri me 5 gola.
Kështu Kastrioti e përfundon stinorin e rregullt në Superligën A për hendbollistë në pozitën e dytë me 49 pikë. Vëllaznimi aktualisht është i katërti me 22 pikë, ndërsa nëse do të mbetet në këtë pozitë do të varet nga ndeshja që të enjten (20:30) luhet në mes të Vushtrrisë e Prishtinës.
Vushtrria është e pesta me 21 pikë. Prishtina është e treta me 39 pikë dhe në gjysmëfinale të plejofit do të luajë pikërisht ndaj Kastriotit.
Të mërkurën është dashur të luhet edhe ndeshja tjetër e javës së 28-të, Besa Famgas – Drita, por gjilanasit nuk kanë udhëtuar në Pejë. Kjo ndeshje pritet të regjistrohet me rezultat zyrtar në të mirë të Besës. Besa Famgas është kampion aktual dhe në plejof do të startojë nga vendi i parë. Drita është e gjashta me 20 pikë, të cilat i ka fituar në stinorin vjeshtor.
Kastrioti – Vëllaznimi 49:24 (25:9)
Kastrioti: Esati, B. Syla 11, Zherka, A. Dugolli 9, Prekazi 1, Shabani 2, Ramadani 1, D. Dugolli, Rudari 7, Mustafa 10, Bassomben 4, Rajatoski 4.
Vëllaznimi: Neziri 5, Halili 3, Spahija, Rexha 3, Rama 3, Fana 4, Hoxha, Luzha, Bardhoku 2, Mamusha 4.