Kastrioti i Ferizajt është fitues i Kupës së Republikës së Kosovës për edicionin 2018\19. Skuadra ferizajase ka mposhtur Prishtinën në finale me rezultat 28:27.
Ndeshja finale ishte shumë e fortë dhe dramatike, ndërsa u luajt të dielen mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet para rreth 1500 shikuesve. Tifozët e hendbollit ishin dëshmitarë të një ndeshje shumë të fortë e poashtu shumë dramatike. Vetëm në aksionet e fundit është caktuar fituesi. Dhe ai është Kastrioti i Ferizajt.
Kastrioti ka fituar Kupën e parë pas plot dhjetë vitesh. Për herë të fundit trofeut të çmueshëm i ishte gëzuar në vitin 2009. Në pesë vitet e fundit Kupa është fituar nga Besa Famgas që u mposht të shtunën nga ferizajasit.
Njëjtë si ndeshja me Besën edhe ajo me Prishtinën ishte cilësore. Në minutën e fundit, kur rezultati ishte 27:26 Prishtina dështoi në sulm. Portieri Arbër Curri shënoi nga porta për 28:26, ndërsa fare në fund Prishtina shënoi për 28:27.
Pra ndeshja ishte e hapur deri në fund, ndonëse Kastrioti në pjesën e dytë ishte vazhdimisht në epërsi. Por skuadra e Taib Kabashit nuk u dorëzua deri në fund dhe e kishte rastin për të barazuar, që e lëshoi. Djelmoshat e Verim Zherkës kështu kanë fituar trofeun e parë të edicionit dhe pritet të zhvillojnë luftë të fortë edhe për titull të kampionit. Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me rezultat 15:12 për Kastriotin.
Kastrioti që luajti pa Terziqin e suspenduar, për lojtar më efikas e kishte Lulzim Shabanin me 7 gola. Me gola kontribuan edhe lojtarët tjerë, por mbrojtja e bëri dallimin. Në krye të detyrës ishte portieri Arbër Curri e poashtu Rron Ramadani, Petrit Prekazi, Beni Syla, Pamphile Bassomben e të tjerët. Te Prishtina më efikasët ishin Oltion Beshiri e Albi Gjuka, që e mbajti në lojë skuadrën në momentet vendimtare. Të dy shënuan nga 6 gola.
Kështu me ndeshje të fortë, dramatike dhe në një atmosferë të bukur, i erdhi fundi FINAL 4 të Kupës, që ishte ngjarje shumë e suksesshme, në vazhdën e ngjarjeve plot shkëlqim të Federatës tonë.
Prishtina – Kastrioti 27:28 (12:15)
Prishtina: Armir Agushi, Flakrim Beqiraj, Enis Kuleta, Kreshnik Krasniqi 2, Atdhe Basholli, Besian Abazi, Agon Bajqinovci 5, Lindrit Fetahu 4, Ylli Visoka 3, Etrit Hoxha, Fatlum Batatina, Melos Shahini, Oltion Beshiri 6, Albi Gjuka 6, Kushtrim Kastrati 1, Mërgim Ademi.
Kastrioti: Arbër Curri 1, Korab Syla, Beni Sula 3, Vlerson Zherka 4, Arben Dugolli 3, Petrit Prekazi 1, Lulzim Shabani 7, Rron Ramadani 2, Dardan Dugolli, Aldi Rudari, Festim Mustafa, Liridon Esati, Pamphile Bassomben 6, Pece Rajatoski 1, Besnik Bytyqi.