Kastrioti i Ferizajt e ka humbur ndeshjen e parë të rrethit të tretë të Kupës Sfiduese për hendbollistë. Të dielen në Belgjikë, Kastrioti humbi nga skuadra Vise me rezultat 33:21. Ndeshja u luajt para 500 shikuesve, kurse pas pjesës së parë rezultati ishte 15:9 për vendasit.
Kastrioti në rrethin e dytë e kishte kaluar Tallinin e Estonisë të cilin e kishte mposhtur dy herë muajin e kaluar në Ferizaj. Ishin ato fitoret e para evropiane për Kastriotin, skuadrën me histori të pasur. Vise është skuadër më cilësore se Tallini dhe këtë e dëshmoi në ndeshjen e parë. Por ferizajasit shfaqën vlera poashtu , ndërsa do të kërkojnë rezultat shumë më të mirë në ndeshjen e kthimit që zhvillohet më 24 nëntor nga ora 19:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Deniz Terziqi ishte më efikasi te Kastrioti duke shënuar më shumë se gjysmën e golave. Ai shënoi plot 11 herë. Petrit Prekazi shënoi katër gola, Beni Syla tri, Arben Dugolli dy e Hamdi Salihu një.
Vise – Kastrioti 33:21 (15:9)
Kastrioti: Kiril Kolev, Korab Syla, Beni Syla 3, Hamdi Salihu 1, Arben Dugolli 2, Petrit Prekazi 4, Deniz Terziqi 11, Drilon Haxhimusa, Rron Ramadani, Dardan Dugolli, Aldi Rudari, Festim Mustafa, Liridon Esati, Pece Rajatoski.