Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kastrioti mposht Vëllaznimin në Gjakovë

Vëllaznimi e Kastrioti janë takuar të enjten mbrëma në Gjakovë në ndeshjen e mbetur të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në hendboll. Fitore me rezultat 29:25 ka shënuar skuadra ferizajase, Kastrioti.

Epërsia e Kastriotit pas pjesës së parë ishte tri gola (16:13). Kastrioti e nisi më mirë ndeshjen, por vendasit u kthyen në mesin e pjesës së parë, duke kaluar edhe në epërsi. Por më pas sërish ferizajasit shfaqën më shumë. Në pjesën e dytë mysafirët ishin vazhdimisht në epërsi, ndërsa Vëllaznimi më së shumti i afrua në dy gola.

Festim Mustafa me 12 gola, udhëhoqi Kastriotin. Aldi Rudari i realizoi 7 gola, kurse 5 i kishte Jeton Bislimi. Arbër Neziri realizoi 6 gola për Vëllaznimin, derisa nga 5 i kishin Çlirim Rama e Florian Rexha.

Për Kastriotin është fitorja e tretë. Me 6 pikë renditet në mesin e tabelës. Gjashtë pikë i ka edhe Vëllaznimi, që pësoi humbjen e tretë.

Gjatë javës janë luajtur edhe dy ndeshje të Superligës së hendbollisteve.

Të mërkurën u luajt ndeshja e javë së gjashtë në mes të Vushtrrisë dhe Ferizajt. Fitore me rezultat 34:29 shënoi Vushtrria. Burneta Rama i kishte 13 gola për Vushtrrinë, ndërsa 7 i realizoi Lorena Matarova.

Mimoza Sefedini, Meri Koneski e Albulena Kelmendi shënuan nga 7 gola për Ferizajn.

Të martën, ndeshjen e mbetur të javës së gjashtë e luajtën Samadrexha e Prishtina. Fitore me rezultat 32:25 shënoi Prishtina. Alma Nivokazi ishte më efikasja te Prishtina me 10 gola. Arlinda Maloku shënoi 14 gola për Samadrexhën.