Në fundjavën e kaluar kanë përfunduar garat në Superligën e kadetëve. Skuadrat e kësaj grupmoshe i kanë luajtur ndeshjet para atyre të seniorëve, ndërsa janë zhvilluar 18 xhiro. Titullin e kampionit e ka fituar Kastrioti i Ferizajt që e përfundoi ediconin me 34 pikë. Ferizajasit e rinjë shënuan 17 fitore kurse e pësuan vetëm një humbje dhe kështu siguruan titullin. Në vend të dytë u rendit Besa Famgas me 31 pikë e pas saj Prishtina me 27 pikë.
Kupa e kampionit skuadrës së Kastriotit, që drejtohet nga Blerim Beqiri, i është ndarë të mërkurën mbrëm në një ceremoni të organizuar në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Kupën e dorëzoi Lulzim Abazi, anëtar i Bordit të Federatës së Hendbolli të Kosovës. Djelmoshat e rinjë ferizajas me pjesëmarrje i nderoi Xhemile Murati – Shabani, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Ferizajt.