Ka mbetur vetëm kapitulli i fundit i edicionit shumë interesant në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të shtunën prej orës 19:00 është ndeshja e parë finale mes Rahovecit dhe Besa Famgasit.
Ndeshja e parë e finales së plejofit zhvillohet në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. Numri i shikuesve pritet të jetë i madh e po ashtu përkrahja për Rahovecin.
“Vreshtarët”, që janë në rritje të vazhdueshme, po e kërkojnë titullin e parë në histori. Ndërkohë Besa Famgas kërkon të vazhdojë dominimin në Superligë.
Skuadra që i shënon dy fitore shpallet kampione. Ndeshja e dytë luhet në Pejë, ndërsa ndeshja e tretë eventuale sërish në Rahovec.
Në gjysmëfinale të plejofit, Rahoveci e eliminoi Trepçën me rezultat 2:0. Besa Famgas e kaloi Kastriotin e Ferizajt me rezultat 2:1.
Të gjitha ndeshjet mes Rahovecit dhe Besa Famgasit ishin shumë të forta dhe u vendosën në fund. Njëjtë pritet të jetë edhe të shtunën në mbrëmje në Rahovec. Vendi i gjithë tifozëve të hendbollit është në palestrën “Mizahir Isma” për t’i dhënë edhe më tepër shkëlqim finales së madhe.