Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, ka vazhduar me vizita e takime në institucione të ndryshme.
Të enjten Kolgeci e ka vizituar Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive dhe u takua me drejtorin e kësaj qendre Gëzim Murseli.
Kolgeci e Murseli kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm, ndërsa janë pajtuar për zgjerim të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera.
“Biseduam për vazhdimin e bashkëpunimit në nivele edhe më të larta si dhe për përkujdesjen dhe monitorimin e shëndetit të përgjithshëm të hendbollistëve.
Mjekësia e sportit paraqet një shtyllë të domosdoshme me rastin e kontrollimit shëndetësor, testimeve dhe kualifikimit të sportistëve për të plotësuar kushtet e pjesëmarrjes në aktivitete sportive si dhe për të vlerësuar rezultatet e arritura sportive nëse ato kanë qenë konform rregullave dhe dispozitave të aplikueshme e të pranuara ndërkombëtarisht.
FHK-ja së shpejti do të organizojë, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera relevante, trajnime dhe seminare për mjekët, fizioterapeutët e nutricionistët të cilët kanë ndikim në shëndetin e hendbollistëve dhe sportistëve në përgjithësi”, ka thënë presidenti Edin Kolgeci.