Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kolgeci uron Kombëtaren U18 për kualifikim në Botëror, falënderon partnerët

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, ka uruar Kombëtaren U18 për kualifikim në Kampionat Botëror.

Kombëtarja jonë e 18-vjeçarëve triumfoi të dielën në IHF Trophy Intercontinental dhe siguroi biletën për Botërorin në Egjipt.

“Ky sukses dëshmon se jemi në rrugën e duhur dhe që e ardhmja e hendbollit kosovar është e ndritur. Natyrisht, për djemtë tanë ky kualifikim duhet të shërbejë si nxitje për punë edhe më të madhe. Për herë të tretë si federatë do të dërgojmë ekip kombëtar në Botëror dhe ky fakt pos mburrje është edhe përgjegjësi për punë edhe më të madhe për të arritur suksese të reja, e edhe më të mëdha”, shkruan në urimin e presidentit Kolgeci.

Ai ka falënderuar edhe gjithë bashkëpunëtorët për organizimin e IHF Trophy.

“Pos sponsorëve, falënderojmë IHF-në për besimin, e sidomos Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Punëve të Jashtme Komunën e Prishtinës dhe Policinë e Kosovës. Falë bashkëpunimit korrekt me të gjitha këto institucione kemi përmbyllur edhe një ngjarje të rëndësishme me sukses të plotë”, ka shkruar tutje Kolgeci.