Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kombëtarja A pëson në Tel Aviv

Të dielen ndeshje të rëndësishme ka patur edhe Kombëtarja A e Kosovës në hendboll. Ndonëse ka udhëtuar me optimizëm, Kombëtarja jonë nuk ia ka dalur të marr rezultatin e synuar në Tel Aviv ku u luajt ndeshja me Izraelin. Vendasit fituan me rezultat 30:24. Disa ditë më parë në Prishtinë, djelmoshat tanë dominuan plotësisht ndaj izraelitëve dhe shënuan fitore të madhe. Por suksesin e njëjtë nuk e kanë përsëritur edhe të dielen.

Përzgjedhësi Taip Ramadani, duke vlerësuar paraqitjen në Tel Aviv, ka thënë se kombëtares tonë i kushtoi hapja jo e duhur e ndeshjes e poashtu e pjesës së dytë.

“Ndeshja ishte ashtu siç e pritëm, intensive, fizike dhe luftarake. Kishim një fillim të dobtë ku dështuam të realizojmë në raste të mira dhe Izraeli doli në epërsi të shpejtë. Mirëpo në 10 minutat e fundit të pjesës së parë arritëm të ngushtojmë rezultatin dhe të përfundojmë pjesën e parë pozitivisht. Edhe në pjesën e dytë startuam dobtë dhe nuk mundëm të ngushtojmë diferencën përsëri. Kishim probleme të mëdha me shpejtësinë e lojtarëve fundorë të Izraelit, ndërsa në anën tjetër sulmi ynë fillojë të stagnojë”, ka thënë Ramadani.

“Gjithsesi kam qenë shumë krenar me punën dhe angazhimin e ekipit që nga faza përgatitore. Kemi patur një atmosferë të këndshme dhe ka qenë kënaqësi të punojmë me ekipin. Më vjen shumë keq që përfunduam këtë grumbullim të shkëlqyeshëm me humbje. Secili nga lojtarët dhe anëtarët e shtabit teknik, kanë dhënë kontribut të madh dhe nga ky aspekt jam shumë i lumtur. Ishte edhe një çast frikësues kur Enis Kabashi pësoi një goditje të rëndë në fytyrë dhe pat një intervenim mjekësor, por fatmirësisht nuk ishte serioze si menduam në fillim. Loja ka qenë tejet fizike me goditje të shpeshta nga të dy anët dhe ka patur shumë ndëshkime. Izraelitët e kanë shprehur inatin nga humbja e parë në mënyrë shumë fizike”, ka vazhduar Taip Ramadani.

Kombëtaren tonë e presin ndeshjet me Poloninë në Prishtinë dhe me Gjermaninë në udhëtim, më 12 e 16 qershor të këtij viti.

“Në ndeshjen e parë gjithçka që kishim planifikuar shkoi ashtu si duhet, me një supermbrojtje dhe sulm efikas. Në ndeshjen e dytë problemet në sulm ishin të mëdha. Izraelitët e kanë studiuar mirë lojën tonë dhe kanë bllokuar pikat tona më të forta dhe kjo na penalizoj në fund”, ka thënë pivoti Kastriot Jupa.  

Izraeli – Kosova 30:24 (11:9)

Palestra: Drive-in, Tel Aviv

Shikues rreth 800

Kosova: Arbër Curri, Kastriot Jupa 3, Kreshnik Krasniqi, Bashkim Gashi 1, Lindrit Fetahu 3, Enis Kabashi 2, Valon Dedaj 2, Fatlum Ahmeti 4, Deniz Terziqi 3, Armir Agushi, Endrit Abdullahi 4, Luigj Quni, Drilon Tahirukaj 2, Haris Berisha, Bujar Ramosaj, Rron Ramadani.