Kombëtarja barazon me Belgjikën

Kombëtarja e Kosovës në hendboll e ka fituar pikën e parë në kualifikimet për Botërorin 2023. Të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Kosova luajti 28:28 me Belgjikën. Barazimi erdhi pas humbjes së pësuar nga Turqia në Eskishehir.

Në fund të ndeshjes lojtarët tanë kishin sulmet për të shënuar fitore, por nuk i realizuan.

Pas pjesës së parë Kosova kishte epërsi prej dy golash, 14:12, por në pjesën e dytë gjërat nuk funksionuan ashtu si shpresohej.

Ndeshjen më mirë e hapi Belgjika që ishte në epërsi deri në minutën e 15-të. Më pas Kosova nisi shkëputje dhe krijoi epërsi prej tri golash, 10:7. Pas 30 minutave rezultati ishte 14:12.

Në pjesën e dytë u luajt për secilën gol, ndërsa në epërsi të lehtë ishim herë ne e herë belgët.
Pasi Jon Muqolli barazoi rezultatin në 25:25, Deniz Terziqi shënoi dy herë rresht për 26:25 e 27:26. Por belgët barazuan në 27:27 dhe pas shënimit të Kastriot Jupës edhe në 28:28. Aksionet e fundit nuk i realizoi asnjëra palë.

Më efikasi ishte Drenit Tahirukaj me gjashtë gola. Nga 4 gola i shënuan Deniz Terziqi e Egzon Gjuka.
Në ndeshjen tjetër të grupit të parë të fazës së parë kualifikuese, Greqia fitoi 24:20 ndaj Turqisë. Greqia udhëheq me katër pikë, Turqia i ka dy pikë, ndërsa Belgjika e Kosova e kanë nga një.

Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan më 5 janar, kur e pret Greqinë në Prishtinë. Dy vendet e para në grup sigurojnë avancimin tutje.

Lajme tjera