Hendbollistet e kombëtares së Kosovës po vazhdojnë përgatitjet për ndeshjet e rëndësishme që i kanë në Sllovaki. Nën urdhërat e përzgjedhësit Agron Shabani, hendbollistet kanë nisur më 21 nëntor përgatitjet për ndeshjet e fazës së parë eliminatore për botërorin e vitit të ardhshëm. Kosova është në grupin e parë së bashku me Sllovakinë, Ukrainën e Izraelin. Ndeshjet e këtij grupi luhen prej 30 nëntorit deri më 2 dhjetor në Shala të Sllovakisë. Kosova më 30 nëntor përballet me Izraelin, më 1 dhjetor me Ukrainën, ndërsa më 2 dhjetor me Sllovakinë.
Në ditët e para kanë stërvitur vetëm lojtaret e klubeve të vendit, ndërsa lojtaret e klubeve të huaja në fundjavë janë bashkuar me kombëtaren, për shkak të obligimeve që kishin. Poashtu selektori Shabani nuk mund të llogarit në disa lojtare të lënduara.
“Jemi grumbulluar prej datës 21 nëntor. Një pjesë e lojtareve kanë qenë prezente prej fillimit kurse pjesa tjetër për shkak të angazhimeve nëpër ekipe, i janë bashkangjitur grupit në vikend. Ushtrimet po shkojnë mirë, hendbollistet janë të përkushtuara, por kemi problem me lëndimin e disa lojtareve si të Burneta Ramës, Njomza Kelmendit dhe Arlinda Krasniqit”, ka thënë selektori Agron Shabani.
Për kombëtaren ende nuk e kanë fituar të drejtën të luajnë Albana Arifi e Suzana Ujkiq, ndërsa Pashke Marku nuk i është përgjigjur ftesës pasi ka obligime ndaj klubit të ri.
Hendbollistet po ushtrojnë nga dy herë në ditë, ndërsa janë të vendosura në Prishtinë.