Kombëtarja e Kosovës në hendboll e pret me optimizëm ndeshjen e vështirë me Malin e Zi. Ndeshja Kosova – Mali i Zi zhvillohet të enjten prej orës 20:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Në kampin e Kosovës atmosfera është shumë e mirë, ndërsa lojtarët dhe shtabi teknik janë të vetëdijshëm se përballë e kanë një kombëtare të nivelit serioz evropian. Të gjithë janë të përkushtuar për të dhënë maksimumin në tentim për sukses. Po ashtu shpresohet në përkrahje nga tribunat.
Kosova i ka disa mungesa të rëndësishme, por po ashtu janë kthyer disa lojtarë me rëndësi. Për shkak të lëndimeve mungojnë Drilon Tahirukaj, Jon Muqolli e Liridon Zena.
Ndeshja i takon fazës së dytë kualifikuese për Euro 2024.
Në Podgoricë, më 12 tetor të vitit të kaluar, Mali i Zi kishte fituar me rezultat 29:20, por Kombëtarja jonë për një pjesë të mirë të ndeshjes ishte rivale e barabartë. Lojtarët tanë tashmë e kanë edhe përvojën e ndeshjeve të këtilla e po ashtu luajnë për kohë të gjatë së bashku.
Të dielën është ndeshja e fundit e këtij cikli kualifikues. Ndeshja me Slloveninë luhet në Velenje.