Nën drejtimin e selektorit Agron Shabani, Kombëtarja e Kosovës në hendboll (vajzat) ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet me Suedinë.
Ndeshjet me Suedinë i takojnë fazës së fundit kualifikuese për Kampionat Botëror. Suedia është kundërshtarja më e fortë e mundshme në raundin e dytë kualifikues. Ka shumë lojtare në nivelin më të lartë evropian dhe suksese të shumta.
Kombëtarja jonë është grumbulluar në Eslov të Suedisë, ndërsa stërvitja e parë u zhvillua të hënën paradite.
Në Kombëtare ka atmosferë punë, ndërsa shtabi teknik dhe hendbollistet janë të vetëdijshme për sfidat që i presin dhe nivelin e kundërshtareve.
Ndeshja e parë është të enjten prej orës 19:00 në Suedi, ndërsa e kthimit të dielën nga ora 17:15 në Prishtinë.