Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kombëtarja pëson disfatë në ndeshjen e parë në Sllovaki

Hendbollistet e kombëtares së Kosovës kanë pësuar disfatë në ndeshjen e parë në kualifikimet për kampionatin botëror të vitit 2019. Në kuadër të grupit të parë të fazës së parë kualifikuese, Kosova luajti të premten në Shala të Sllovakisë kurse humbi me rezultat 28:25 nga Izraeli. Pas pjesës së parë rezultati ishte 16:11 në të mirë të izraeliteve.

Kombëtarja jonë nuk e kishte ditën në ndeshjen ndaj izraeliteve, kurse ekipi dështoi në disa pozita ku nuk është pritur dhe nuk është dashur të dështojë. Janë humbur shumë gjuajtje nga pozita të pastërta, ndërsa kanë kushtuar edhe disa pakujdesi të vogla në mbrojtje. Poashtu kombëtarja nuk ishte e kompletuar për këtë ndeshje. Për shkak të lëndimeve kanë munguar lojtare me peshë, ndërsa dy të tjera nuk e kanë fituar ende të drejtën që të luajnë për Kosovën.

“Kemi dështuar në disa pozita prej nga nuk është dashur të dështojmë. Kemi humbur disa gjuajtje nga pozita të pastërta dhe kjo e pati ndikimin në rezultat. Natyrisht rol luajnë edhe mungesat që kishim. Nuk kishim shumë zgjidhje. Tani na presin ndeshje tjera të vështira”, ka theksuar selektori Agron Shabani.

Në ndeshjen tjetër të ditës së parë, Sllovakia nikoqire fitoi ndaj Ukrainës me rezultat 36:32. Kosova ndeshjen e dytë e luan menjëherë të shtunën kur nga ora 15:30 takohet me Ukrainën. Të dielen prej orës 18:00 luhet ndeshja e fundit me Sllovakinë.

Kosova – Izraeli 25:28 (11:16)

Kosova: Dorentina Osmani, Pranvera Ferataj, Elma Kameri 2, Shkurta Mehmeti, Verona Zaskoku, Fitore Aliu 2, Ardiana Merditaj 1, Pashke Marku 3, Albina Rugova 3, Aurora Shehdadi, Aida Stagova, Lena Mekolli, Mirela Gjikokaj 5, Leonora Demaj 9, Adriana Salihu.