Kombëtarja e Kosovës në hendboll të premten ka udhëtuar për në Almere të Holandës, ku të shtunën (nesër) e luan ndeshjen e fundit të fazës së dytë kualifikuese për Evropian. Hendbollistet e Kosovës nga ora 15:00 në palestrën “Topsportcentrum” luajnë ndaj Holandës, njërës prej kombëtareve më të mira në botë.
Kombëtarja të premten pasdite ka zhvilluar një stërvitje në palestrën ku edhe luhet ndeshja. Në shtabin teknik janë shprehur se kombëtarja është e gatshme për ndeshje. Trajnerët por edhe hendbollistet kanë premtuar se do të japin maksimumin në ndeshjen shumë të vështirë me holandezet. Rezultati i favorshëm është vështirë i arritshëm, por më e rëndësishme se rezultati vlerësohet paraqitja e mirë dhe angazhimi deri në fund të ndeshjes. Kombëtares tonë i mungojnë disa lojtare të rëndësishme për shkak të lëndimeve.
Holanda tashmë e ka siguruar evropianin dhe është prej favoriteve për ta fituar atë. Ka në formacion disa prej lojtareve më të mira na botë. Përballja me to do të jetë me shumë peshë për hendbollistet e reja të Kosovës.