Hendbollistët e Kombëtares U-18 të Kosovës të enjten pasdite janë vendosur në Austri ku do të luajnë në kampionatin evropian, Divizioni B. Në Austri kombëtarja jonë ka arritur pas një udhëtimi të gjatë. Nga Kosova kombëtarja është nisur të mërkurën mbrëma, ndërsa ekspedita ka pritur rreth tri orë në pikëkalimin kufitar në Merdare, pasi autoritetet serbe nuk kanë lejuar që autobusi të lëviz nëpër Serbi pa përcjelle të policisë. Për në Austri kombëtarja ka udhëtuar përmes Serbisë e Hungarisë, ndërsa të enjten pasdite është vendosur në qytetin Tulln ku edhe i luan ndeshjet në kuadër të evropianit.
Takimin e parë Kosova e ka të premten (nesër) prej orës 20:30, ndaj Holandës. Më 11 gusht Kosova luan ndaj Sllovakisë, më 13 gusht ndaj Letonisë, më 14 gusht ndaj Austrisë dhe më 16 gusht ndaj Bullgarisë. Më pas i ka edhe dy ndeshje për plasman përfundimtar. Gjithsej në evropianin në Austri marrin pjesë 12 përfaqësuese që janë të ndara në dy grupe. Kosova është në grupin B.
Kombëtarja është përgatitur në Gjakovë për këtë evropian. Në Gjakovë i ka luajtur edhe dy ndeshje stërvitore ndaj Malit të Zi. Por bëhet fjalë për një gjeneratë që është në konsolidim e sipër dhe pritjet prej saj janë solide. Djelmoshave tanë u dëshirojmë suksese në sfidat në kuadër të kampionatit evropian.