Kombëtarja U18 në Slloveni për ndeshje përgatitore

Pas fazës së suksesshme përgatitore në Gjakovë, Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll ka udhëtuar për në Slloveni ku do t’i vazhdojë përgatitjet për Evropianin e muajit të ardhshëm.


Hendbollistët tanë tashmë janë vendosur në Rogashka Sllatina të Sllovenisë. Të shtunën e kanë luajtur ndeshjen e parë përgatitore me Arabinë Saudite. Ishte në fakt kjo edhe ndeshja e parë e kësaj gjenerate të Kosovës U18. Rrjedhimisht fillimi i ndeshjes nuk ishte i mirë, por më pas ka pasur përmirësime të ndjeshme në lojën e djemve tanë. Arabët kanë fituar me nëntë gola dallim, ndërsa në shtabin teknik ka shpresë të madhe se paraqitja do të jetë dukshëm më e mirë në tri ndeshjet tjera.


Kosova U18 e luan edhe një ndeshje me Arabinë Saudite, ndërsa dy ndeshje i ka me Kuvajtin. Edhe Arabia Saudite e Kuvajti paraqiten me U18.
Ndeshjet miqësore vlerësohen të domosdoshme për përgatitje sa më të mirë për Evropianin që mbahet në Letoni prej 8 deri më 14 gusht. Në Kombëtaren U18 shumica janë lojtarë 16-vjeçarë, por me potencial. Miqësoret në Slloveni, por edhe Evropiani në Letoni, do të jenë përvojë shumë e rëndësishme për karrierën e këtyre lojtarëve në hendboll.


Në Evropianin e Divizionit B, Kosova është në grup me Maqedoninë e Veriut, Letoninë e Turqinë.

Lajme tjera