Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kombëtarja U19 lëshon fitoren nga dora

Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll (femrat) ka lëshuar rast të mirë për të arritur fitore në kampionatin evropian, Divizioni B, që po mbahet në Lituani.

Të enjten vajzat tona pësuan nga Ishujt Faroe me rezultat 23:22. Në fund të ndeshjes kombëtarja jonë kishte disa aksione për të barazuar rezultatin e pse jo edhe për të kaluar në epërsi, por i mungoi edhe fati.

Për dallim nga ndeshja e kaluar, vajzat kanë dhënë maksimumin dhe ishin vazhdimisht të barabarta me lojtaret e Ishujve Faroe. Kanë ndikuar edhe disa gabime teknike, që ishin dukshëm më të vogla se në ndeshjen e kaluar.

Në pjesën e parë Kombëtarja e Kosovës kishte epërsi deri në dy gola, por në fund rezultati ishte 14:13 për Ishujt Faroe. Në pjesën e dytë është luftuar për çdo gol, por në mungesë të fatit nuk kemi shënuar golin e barazimit dhe pësuam me rezultat 23:22.

Ishte kjo bindshëm paraqitja më e mirë e Kosovës U19 në evropianin në Lituani. Me paraqitje të mirë është shquar portierja Leonita Gashi që bëri plot 17 pritje. Shumica e golave janë realizuar nga motrat Rexhepi. Sara i shënoi 9 gola, kurse Rina 8 gola.

Tani kombëtarja jonë i ka edhe dy ndeshje për plasman përfundimtar.

Ishujt Faroe – Kosova 23:22 (14:13)

Kosova: Leonita Gashi, Elisa Mulaj 1, Zade Zymberi, Melisa Mulaj, Edona Radoniqi, Gresa Gashi, Rina Rexhepi 8, Veronika Kastrati 1, Lorena Matarova, Rinesa Uka, Sara Rexhepi 9, Vlera Kelmendi 1, Alberina Halitaj 1, Drilona Rexhaj 1.