Rritja e madhe e Kombëtares së Kosovës në hendboll (femrat) është konfirmuar të premten kur EHF-ja publikoi vazot për shortin e kualifikimeve për Evropian. Për herë të parë në histori Kombëtarja jonë është në vazon e tretë në fazën kryesore të kualifikimeve.
Prapa në ranglistë kemi lënë Kombëtaren e Izraelit, Finlandës, Luksemburgut, Bosnjë-Hercegovinës, Letonisë, Azerbajxhanit e Bullgarisë.
Do të formohen tetë grupe kualifikuese, njëra prej tyre me tri ekipe kombëtare. Dy të parët në secilin grup kualifikohen në Evropian, ndërsa biletën e sigurojnë edhe katër prej tetë kombëtareve më të mira të pozitës së tretë. Rezultatet me Kombëtaren e katërt në grup nuk do të merren për bazë kur të formohet tabela e Kombëtareve më të mira të pozitës së tretë.
Përmes vendit të tretë do ta synojmë Evropianin e ardhshëm, ndërsa shumë do të varet nga shorti që tërhiqet më 20 prill në Zuerich.
Ndeshjet e para kualifikuese luhen më 11/12 tetor të këtij viti, ndërsa të fundit më 7 prill të vitit të ardhshëm.