Pas përgatitjes disaditore, Kombëtarja e Kosovës në hendboll në rërë është e gatshme për debutim në Lojërat Mesdhetare në rërë. Ndeshja e parë për Kombëtaren tonë do të jetë ndaj Italisë, ndërsa zhvillohet të shtunën prej orës 15:00.
Lojërat Mesdhetare në rërë mbahen në Heraklion të Greqisë, ku Kombëtarja jonë ka qëndruar për disa ditë. Të premten ekipi i drejtuar nga Veton Hajrizi kishte ndeshje stërvitore me Greqinë.
Për të gjithë lojtarët është përvoja e parë në hendbollin në rërë, kështu që pritjet janë modeste. Por e rëndësishme është që Kombëtarja jonë merr pjesë në këtë ngjarje shumësportëshe, ndërsa angazhimi nuk do të mungojë për paraqitje sa më të mira.