Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kosova fiton miqësoren me Turqinë

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka treguar formë të lartë në prag të ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2020”. Kombëtarja jonë të dielen në Turqi fitoi ndaj kombëtares turke me rezultatin 21:20, në ndeshjen përgatitore.  Ishte një paraqitje shumë e mirë e Kosovës, ndërsa golin e fitores e shënoi Florim Hoxha në minutën e fundit, nga penalltia. Hendbollistët e Taip Ramadanit dëshmuan se po përgatiten mirë për ndeshjet e vështira me Poloninë e Gjermaninë, ndërsa një ndeshje tjetër stërvitore-përgatitore do ta luajnë ndaj Turqisë edhe të hënën (nesër). Prej Turqisë, kombëtarja udhëton direkt për në Poloni ku e luan takimin me 24 tetor. Më 28 tetor Kosova e pret Gjermaninë në ndeshjen e dytë të fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2020”.

Të dielen ndaj Turqisë janë dalluar Luigj Quni e Arbër Curri, ndërsa lojë të mirë kanë treguar edhe të gjithë të tjerët. Kosova është e hendikepuar për shkak të lëndimit të shumë lojtarëve. Pos kapitenit Valon Dedaj, Vlerson Zherkës e portierit Flamur Gërbeshi, në ditët e fundit janë lënduar edhe Bujar Ramosaj e poashtu edhe Enis Kabashi e Endrit Abdullahi. Kabashi e Abdullahi u lënduan në ndeshjet që i zhvilluan të shtunën me skuadrat e tyre. Për shkak të garës me rëndësi të kombëtares U-20, atë IHF Trophy, që nis pas dy ditësh, kombëtarja A nuk mund të llogaris as në Drenit Tahirukajn e Jon Muqollin. Por ndeshja e së dieles jep shpresë për paraqitje të denja edhe ndaj Polonisë e Gjermanisë, superfuqisë së hendbollit.