Kosova humb ndeshjen dramatike ndaj Greqisë

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka pësuar humbje nga Greqia, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2023. Të mërkurën mbrëma në Prishtinë para një numri të konsiderueshëm shikuesish, Kombëtarja jonë pësoi me rezultatin 21:20 Ndeshja ishte e fortë dhe e hapur deri në fund. Në sekondat e fundit lëshuam rast të mirë për të barazuar rezultatin në 21:21.
Grekët e nisën më mirë ndeshjen dhe kanë dominuar në pjesën e parë. Pas 30 minutave rezultati ishte 13:9 për mysafirët. Djemtë tanë kanë pasur telashe për të gjetur lojën në pjesën e parë, por gjërat ndryshuan në të dytën.
Angazhimi ishte edhe më i madh dhe në disa raste rezultati u barazua. Por disa vendime të ngutshme në momentet kur vendosej ndeshja e po ashtu gabime në radhët tona, kushtuan në fund me humbjen e dy pikëve.
Te Kosova u dallua portieri Haris Berisha me 15 pritje. Kapiteni Valon Dedaj i shënoi shtatë gola nga tetë tentime, ndërsa Drenit Tahirukaj kishte pesë gola nga shtatë tentime.
Ndeshja e ardhshme e Kombëtares sonë është të dielën. Sërish takohemi me Greqinë, por këtë herë në udhëtim. Dy ndeshje tjera i kemi javën e ardhshme.

Lajme tjera