Kosova më 21 mars mëson kundërshtarët e kualifikimeve për Euro 2026

Pasi e mposhti Britaninë e Madhe në dy ndeshje gjatë janarit, Kombëtarja e Kosovës në hendboll (meshkujt) do të vazhdojë garimin aty ku e ka vendin, në fazën kryesore kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2026. Shorti tërhiqet më 21 mars në Kopenhagë të Danimarkës.
Ndeshjet me Britaninë e Madhe i takuan raundit promovues të kualifikimeve për Euro 2026. Më 10 janar në Prishtinë, djemtë tanë fituan 30:22. Kalimin tutje e konfirmuan me fitoren 29:23 në Derby të Anglisë, më 13 janar.
Xhiroja e parë e kualifikimeve të rregullta është më 6/7 nëntor. Më 9/10 nëntor është xhiroja e dytë, ndërsa katër xhirot tjera janë gjatë vitit 2025, në mars e në maj.
Do të jenë tetë grupe me nga katër ekipe kombëtare. Dy të parët në secilin grup dhe katër përfaqësueset më të mira të pozitës së tretë do të kualifikohen në Evropianin që mbahet në Danimarkë, Norvegji e Suedi. Pos këtyre tri kombëtareve, në Evropian tashmë është e kualifikuar edhe Franca si kampione e Euro 2024.
Në short, Kombëtarja jonë do të jetë në vazon e katërt.

Lajme tjera