Kombëtarja e Kosovës në hendboll e ka zhvilluar të premten mbrëma ndeshjen e parë në turneun ndërkombëtar “Yellow Cup”.
Në Winterthur të Zvicrës, Kombëtarja jonë u përball me Holandën dhe pësoi me rezultat 36:24. Pas pjesës së parë rezultati ishte 17:9 për holandezët, që po përgatiten për paraqitje në Kampionat Botëror.
Vetëm në momente të përzgjedhurit e Bujar Qerimit kanë shfaqur nivelin që kanë, ndërsa në përgjithësi lojtarët e Holandës ishin më të motivuar.
Selektori Qerimi ka provuar thuajse të gjithë lojtarët, ndërsa kjo ndeshje do të shërbejë për vazhdimin e kualifikimeve për Euro 2026.
Të kujtojmë që Kosova e Holanda barazuan 33:33 më 10 nëntor në Prishtinë, në kuadër të xhiros së dytë të kualifikimeve për Evropianin e ardhshëm.
Të shtunën Kombëtarja jonë luan ndaj Zvicrës, nga ora 19:00. Ndërkohë të dielën Kosova luan me Italinë, nga ora 14:30. Edhe Zvicra e Italia po përgatiten për Botëror.
Ky është edicioni i 51-të i turneut “Yellow Cup”.