Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kosova mposhtet nga Suedia në Karlskrona

Në një atmosferë shumë të bukur sportive, të enjten mbrëma në Karlskrona të Suedisë u zhvillua ndeshja e parë mes Suedisë dhe Kosovës.
Hendbollistet suedeze kanë shënuar fitore me rezultat 51:16. Nikoqirja ishte favorite e madhe dhe dëshmoi nivelin që e ka, në palestrën “Brinova Arena” të mbushur me shikues.
Suedezet nisën furishëm duke krijuar herët epërsi bindëse. Më pas e kontrolluan ndeshjen deri në fund.
Lojtaret e Kombëtares sonë, përkundër angazhimit, vetëm në momente shfaqën lojë për të rivalizuar deri diku vendaset. Natyrisht, kanë ndikuar edhe mungesat e rëndësishme.
Më efikasja te Kosova ishte Merlinda Qorraj me pesë gola. Katër i shënoi Mirela Gjikokaj e tri Mirjeta Bytyqi.
Ndeshja e kthimit është të dielën nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Suedia është Komëbtarja bindshëm më cilësore që paraqitet në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror të këtij viti. Ishte e para në vazon e parë, kështu që Kombëtaren tonë nuk e përcolli fati në short.
Në dy edicionet e fundit të Lojërave Olimpike, Suedia ishte në gjysmëfinale. Në Botërorin e vitit 2023 luajti po ashtu në gjysmëfinale, ndërsa në Euro 2024 u rendit e pesta.
Kombëtarja jonë në fazën e parë kualifikuese mposhti Belgjikën e Bosnjë-Hercegovinën, por nuk kishte fat në short për fazën e dytë. Gjithsesi prej dy ndeshjeve me Suedinë, Kombëtarja jonë do të mësojë shumë. Do të jetë përvojë e vlefshme për kualifikimet e ardhshme.

Photo Credits: Patris Söderström/Bildbyrån