Kombëtarja e Kosovës në hendboll (femrat) do të garojë në Grupin 8 të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2024. Shorti është tërhequr të enjten pasdite në Zuerich të Zvicrës.
Grupi tetë është i vetmi me tri ekipe kombëtare, por është edhe shumë sfidues. Shtatë grupet tjera i kanë nga katër ekipe kombëtare.
Kosova në grup përballet me Danimarkën dhe me Poloninë. Me Poloninë së fundi kemi luajtur në fazën e dytë kualifikuese për Botërorin 2023.
Dy të parët në secilin grup kualifikohen në Euro 2024, ndërsa biletën për në Evropian e sigurojnë edhe katër prej tetë ekipeve më të mira kombëtare që përfundojnë në vendin e tretë. Kosova do të jetë e treta, por i duhet të jetë prej katër më të mirave nga kjo pozitë për të shkuar në Evropian. Një fitore me shumë mundësi do të mjaftojë për kualifikim, por grupi është shumë i fortë. Danimarka është top-kombëtare botërore, ndërsa edhe Polonia ka nivel të lartë evropian.