Shorti i kualifikimeve për kampionatin e ardhshëm evropian të hendbollit për meshkuj do të hedhet të enjten (nesër) në Trondheim të Norvegjisë, nga ora 19:00. Në short është edhe Kosova, që bënë pjesë në vazon e katërt, së bashku me Finlandën, Belgjikën, Estoninë, Greqinë, Rumaninë, Italinë dhe Ishujt Faroe. Në vazon e tretë janë Letonia, Lituania, Zvicra, Sllovakia, Ukraina, Izraeli e Turqia. Në të dytën janë Rusia, Çekia, Polonia, Islanda, Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Holanda e Portugalia. Ndërsa në vazon e parë për short janë Franca, Kroacia, Gjermania, Danimarka, Sllovenia, Bjellorusia, Hungaria e Maqedonia.
Evropiani i vitit 2020 mbahet në Suedi, Norvegji e Austri, prej 10 deri më 26 janar. Do të jetë ky kampionati i parë me 24 përfaqësuese, pasi deri më tani ishin nga 16 përfaqësuese.Tri vendet nikoqire dhe Spanja si kampion i Evropës nga vitit 2018 kualifikohen direkt për “Euro 2020”. “Euro 2020” është poashtu i pari që organizohet në tri vende.
Kosova ka siguruar kualifikimet përmes suksesit në kampionatin e IHF-së për vendet në zhvillim, që u mbajt vitin e kaluar në Bullgari, ku u rendit e treta.
Në kualifikime do të jenë 32 përfaqësuese, ndërsa EHF-ja në janar ka vendosur që Kosova e Serbia mos të jenë në të njëjtin grup.
Dy të parët nga secili grup kualifikohen në evropian e poashtu edhe katër kombëtaret më të mirë të vendeve të treta. Ndeshjet e para do të luhen në tetor të këtij viti.
Në Trondheim është sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci dhe administratori për marëdhënie ndërkombëtare, Sherif Xhema, që do ta përcjellin nga afër shortin dhe që po marrin pjesë në aktivitete të ndryshme të EHF-së. Gjinovci e Xhema të mërkurën përcjellën një “workshop” për rregulla të organizimit financiar dhe për marketing të ndeshjeve.