Të hënën në mëngjes hendbollistet e Kombëtares U17 të Kosovës e kanë luajtur ndeshjen e parë në kuadër të Kampionatit Mesdhetar. Në Nafplio të Greqisë, vajzat tona u përballën me Kroacinë.
Në periudhën e parë prej tri gjithsej, Kombëtarja jonë shfaqi potencialin që ka, ndërsa pas 15 minutave lojë rezultati ishte i barabartë, 8:8. Në periudhën e dytë, lojtaret e Kroacisë ishin dukshëm më efikase, duke fituar 12:2. Periudha e tretë përfundoi 9:6 për Kroacinë, që fitoi në fund me rezultat 29:16.
Ka pasur gjëra pozitive në lojën e vajzave tona, por edhe shumë lëshime e vendime të ngutshme. Ka kushtuar edhe dëshira e madhe për sukses, që në shumë raste solli nguti dhe përfundim jo të duhur të aksioneve.
Gjithsesi, kjo gjeneratë është me shumë potencial, ndërsa përvoja në Mesdhetar do t’u shërbejë shumë për të ardhmen vajzave të kryetrajnerit Mitat Ferati.
Pasdite Kosova U17 e luan ndeshjen e dytë. Përballë do ta ketë Spanjën, njërën prej favoriteve të kampionatit.
Është ky Kampionati i 16-të Mesdhetar për grupmoshën U17.