Kombëtarja e Kosovës është kualifikuar në finale të Kampionatit Evropian U18 (B) për hendbollistë, që po mbahet në Prishtinë.
Të shtunën mbrëma në gjysmëfinale, djemtë tanë fituan ndaj Luksemburgut me rezultatin e thellë, 33:20.
Për herë të parë një Kombëtare e Kosovës në hendboll është kualifikuar në finale të Evropianit B.
Në finale, të dielën, Kosova U18 luan me Gjeorgjinë. Finalja zhvillohet nga ora 17:00.
Ndaj Luksemburgut, djemtë tanë nisën herët shkëputjen. Pas pjesës së parë rezultati ishte 19:9 për Kosovën. Në pjesën e dytë vetëm u konfirmua fitorja e madhe. Olsi Mulaj ishte më efikasi me tetë gola.
Shtatë i kishte Amar Muqolli, pesë Ilir Istrefaj e katër Granit Kadiri. 10 pritje i kishte Olt Kabashi, kurse kontribut kanë dhënë të gjithë hendbollistët.
Në gjysmëfinalen tjetër, Gjeorgjia pas penalltive fitoi 48:47 ndaj Belgjikës.
Kosova tashmë i ka tri fitore në këtë Evropian U18. Aktualisht është duke fituar ndaj ekipeve kombëtare prej të cilave u mposht në vitet e kaluara në aktivitetet e ndryshme. Kjo është dëshmi që zhvillimi është i duhuri, ndonëse synimi mbetet ende i largët.