Të hënën ka nisur Kampionati Evropian U18 (B) për hendbollistë që mbahet në Prishtinë.
Kombëtarja jonë e ka zhvilluar ndeshjen e tretë, përkatësisht të fundit të ditës.
Kosova U18 u përball me Belgjikën, që është prej favoriteve të Evropianit.
Ndeshja ishte shumë e fortë dhe e barabartë.
Pjesa e parë përfundoi 15:14 për djemtë tanë. Në pjesën e dytë Kombëtarja jonë ishte në epërsi deri në minutën e 57-të, kur belgët barazuan në 26:26. Në një moment epërsia e Kosovës ishte tri gola, 22:19.
Por në minutat e fundit mungoi qetësia. U bën gabime rresht, të natyrës teknike, dhe këtë e shfrytëzuan belgët që dolën para 27:26 e më pas edhe 28:26. Gabimet në kombëtaren tonë vazhduan dhe Belgjika festoi fitoren 29:26.
Portieri Olt Kabashi u dallua me 14 pritje, por që nuk mjaftuan. Bleron Imeraj i kishte nëntë gola nga 13 tentime. Shtatë gola nga 11 tentime i realizoi Olsi Mulaj.
Në ndeshjen tjetër të Grupit A, Bullgaria fitoi 48:22 ndaj Azerbajxhanit. Në kuadër të Grupit B, Luksemburgu fitoi 35:24 ndaj Britanisë së Madhe.
Të martën djemtë tanë luajnë ndaj Bullgarisë, nga ora 18:30.