Pos aktiviteteve të shumta më ekipet kombëtare të grupmoshave të reja, si organizimi i dy Kampionateve Evropiane në Prishtinë dhe pjesëmarrja në Kampionatin Botëror U18 për hendbolliste në Kinë, Federata e Hendbollit e Kosovës është duke vazhduar punën për të rritur cilësinë në ekipet kombëtare A.
Për këtë qëllim, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të FHK-së, Muhamet Arifi, ka pasur takime me hendbollistin e talentuar, Lionel Mirdita. Tashmë 22-vjeçari është pajisur me pasaportë të Kosovës dhe është në dispozicion të Kombëtares sonë.
I takon selektorit Bujar Qerimi të vlerësojë nëse Mirdita do të ftohet në kombëtare për ndeshjet e ardhshme.
Mirdita luan në pozitën e bekut, ndërsa është rritur e zhvilluar në Zvicër. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës, ndërsa ishte edhe në një grumbullim me Kombëtaren A të Zvicrës. Në grupmosha të reja ishte prej më të mirëve.
Pas karrierës te Kreuzlingeni dhe St. Galleni, Mirdita tani është pjesë e skuadrës SV Fides.
Kombëtarja e Kosovës në hendboll ndeshjet e ardhshme garuese i zhvillon në nëntor. Më 6 nëntor në Torshavn përballet me Kombëtaren e Ishujve Faroe. Ndërkohë më 10 nëntor e pret Holandën në Prishtinë.
Ndeshjet i takojnë fazës së dytë të kualifikimeve për Euro 2026.