Llapit i takon ndeshja dramatike

Llapi ishte në disavantazh prej dy golave pas pjesës së parë, por ia ka dalur të fitojë ndeshjen interesante ndaj Drenicës.

Të dielën në Podujevë, Llapi fitoi me rezultat 37:36 ndeshjen e javës së 12-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Llapi mbetet i nënti, por tani i ka 6 pikë. Drenica është e shtata me 8 pikë.

Drenica e ka fituar pjesën e parë me rezultat 16:14. Deri në minutën e 15-të llapjanët ishin në epërsi, por më pas Drenica hyri në seri dhe krijoi epërsi prej 6 golave (14:8). Vendasit nuk u ndalën dhe ngushtuan epërsinë në fund të pjesës së parë.

Edhe në pjesën e dytë Drenica kishte epërsi solide, deri në minutën e 55-të kur rezultati u barazua në 32:32. Më pas Llapi kaloi në epërsi, 34:32. Drenica u afrua deri në fund në një gol, por pa ia dalur të barazojë më. Në fund rezultati ishte 37:36 për llapjanët.

A. Hoxha me 15 gola udhëhoqi Llapin, kurse 9 gola i shënoi A. Muçiqi. K. Kastrati si zakonisht ishte më efikasi te Drenica me 10 gola. 9 gola i shënoi F. Batatina.

Llapi – Drenica 37:36 (14:16)

Llapi: Rexhepi, L. Bogujeci, E. Bogujevci, Beshiri 2, Visoka 1, Bajrami 4, Havolli 1, Mani, Hoxha 15, Muçiqi 9, Hasani 5.

Drenica: Geci, Muqolli, Kastrati 10, Baliu 1, Zekaj 4, Binaku 2, Hamza 7, Sahiti 2, Batatina 9, Zariqi.

Lajme tjera