“Shkollën daneze” të hendbollit në Kombëtaren tonë e prezantojnë Marigona Hajdari, Arlinda Hajdari, Leonora Demaj e herë pas herë edhe Rina Rexhepi. Danimarka është prej vendeve me hendbollin e femrave më të zhvilluar. Prej nivelit të lartë të hendbollit në Danimarkë përfiton në mënyrë indirekte edhe Kombëtarja e Kosovës.
Tani Kosova e Danimarka përballen në kualifikimet për Euro 2024. Ndeshja në Danimarkë luhet më 11 apo 12 tetor, ndërsa danezet në Kosovë vijnë më 14 apo 15 tetor.
Organizatorja e lojës së Kosovës, Marigona Hajdari, e di se gjasat për sukses ndaj Danimarkës thuajse nuk ekzistojnë. Ajo rastin e Kosovës e sheh në ndeshjen në shtëpi ndaj Polonisë. Me një fitore, Kosova kualifikohet në Euro 2024.
Hajdari po luan me sukses të plotë te Ringkobingu në elitën daneze. Së fundi u shpall lojtare e ndeshjes. Në fund të edicionit, Marigona do ta vazhdojë karrierën në një tjetër skuadër elitare daneze.
“Me Poloninë luajtëm dy ndeshje dhe e kemi parë se cili është niveli evropian. E kemi parë që na mungojnë disa gjëra për të arritur në nivelin e Polonisë. Në grup e kemi edhe Danimarkën, që pa diskutim është një prej kombëtare më të forta në botë për momentin. Prandaj grupi është shumë i vështirë. Për ne është me rëndësi që të kemi angazhim maksimal dhe të tregojmë vlerat tona si ekip. Rrugëtimi drejt Kampionatit Evropian është i vështirë, mirëpo pasi ka gjasa edhe nga vendi i tretë, nuk është i pamundur”, ka thënë Marigona Hajdari.