Më 6 shkurt Kuvendi Zgjedhor i FHK-së

Të hënën është mbajtur mbledhja e fundit për këtë vit e Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Nën drejtimin e presidentit, Eugen Saraçini, Bordi i FHK-së ka marrë vendime të rëndësishme. Është vendosur që Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Hendbollit të Kosovës të mbahet më 6 shkurt të vitit të ardhshëm. 

Në mbledhjen e 25-të të Bordit, është miratuar edhe Raporti i Komesarit për stinorin vjeshtor të edicionit 2020/2021. Paraprakisht Bordi i FHK-së informon dhe obligon klubet që të mbajnë kuvendet e tyre deri më 20 janar. Kuvendet duhet të monitorohen nga përfaqësuesit e FHK-së dhe të komunave.

Në mbledhjen e Bordit u diskutua për shumë tema që kanë të bëjnë me avancimin e hendbollit, raportin financiar, ndihmën e MKRS për COVID19, është diskutuar edhe për ndeshjen e fundit të Kupës Evropiane, të zhvilluar të shtunën në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës në mes të Boracit dhe kampiones sonë, Besa Famgas.

Bordi është informuar për provokimet që i janë bërë skuadrës kosovare para dhe pas ndeshjes. Janë dënuar sjelljet josportive, ndërsa është konkluduar se organizimi i ndeshjes në Pejë ndaj Boracit të Banjallukës, ishte shembullor dhe pasqyrë e mirë për korrektësinë e klubeve tona.

Mbledhja e Bordit filloi me një minutë heshtje për vdekjen e punëtorit sportiv, Shaban Demiri dhe gazetarit sportiv, Avni Shabani.

Bordi po ashtu falënderon trajnerin spanjoll, Javier Cabanas që ka drejtuar Kombëtaren tonë në ndeshjet me Malin e Zi dhe Suedinë.

Lajme tjera