Me një ceremoni madhështore është shënuar të enjten 65-vjetori i themelimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Ceremonia është mbajtur në Sheshin 21 në Prishtinë, ndërsa atë me pjesëmarrje e kanë nderuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe përfaqësues të federatave të hendbollit të vendeve të rajonit. Pjesëmarrës ishin edhe shumë njerëz të hendbollit, në mesin e tyre edhe veteranë që kanë dhënë shumë për hendbollin kosovar. Kryeministri Haradinaj dhe Ministri Gashi kanë premtuar rritje të përkrahjes financiare për FHK-në, ndërsa punën e federatës tonë e kanë vlerësuar lartë.
Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini në fjalimin e tij është shprehur krenar për të arriturat e hendbollit gjatë dekadave.
Pjesa kryesore e ceremonisë ishte shfaqja e dokumentarit me të cilin u shënua 65-vjetori i FHK-së e poashtu u paraqit puna e shumë brezave për hendbollin kosovar. Dokumentari me regji të Orhan Kerkezit dhe skenar të Izet Gjinovcit e Orhan Kerkezit ishte emocional dhe gjithëpërfshirës, ndërsa nga të pranishmit u vlerësua shumë lartë. Në të u paraqitën periudhat nëpër të cilët ka kaluar hendbolli kosovar, sukseset e vështirësitë dhe momentet më të lavdishme të historisë shumë të pasur të hendbollit. Dokumentari i përgatitur në mënyrë profesionale përcjelli te të pranishmit emocionet që sjell loja e hendbollit dhe zhvillimet rreth këtij sporti.