Merlinda Qorraj shkëlqeu në finale të Kupës së Norvegjisë, pritet të kthehet në Kombëtaren e Kosovës

Hendbollistja Merlinda Qorraj po paraqitet me plot sukses te njëra prej skuadrave më të mira në Norvegji, Sola HK. Me Solan, 22-vjeçarja po paraqitet në elitën e Norvegjisë, në Ligën Evropiane dhe në Kupën e Norvegjisë.
Madje në Kupë, skuadra e Merlindës shkoi deri në finale. U përball me skuadrën më të mirë në Evropë, fituesin në fuqi të Ligës së Kampionëve, Vipers Kristiansand. Në finale Vipersi fitoi 30:23, ndërsa hendbollistja jonë kishte ndeshje të madhe duke realizuar tri gola e një asistim.
Merlinda prej verës së kaluar është te Sola HK. Ajo më herët ka luajtur për skuadra si Flint Tonsberg, Kristiansand, Vag dhe Grane Arendal. Luan në të gjitha pozitat fundore.
Ajo ka debutuar për Kombëtaren A të Kosovës në moshë shumë të re, në vitin 2017. Por për shkak të lëndimeve dhe obligimeve personale nuk luajti për Kosovën në vitet e fundit.
Pritet që Merilinda të kthehet te Kosova në muajin e ardhshëm. Javën tjetër ajo do të ftohet për ndeshjet me Poloninë, që janë kualifikuese për Botëror.

Lajme tjera