Një delegacion i madh i hendbollit kosovar të enjten është pritur nga Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Gashi. Delegacioni i Federatës tonë është përbërë nga presidenti Eugen Saraçini, sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci, si dhe lojtarët dhe shtabi teknik i kombëtares U21, që kohë më parë arriti sukses historik duke siguruar pjesëmarrjen në kampionatin botëror që mbahet në Spanjë gjatë muajit korrik.
Kombëtarja U21 ka fituar fillimisht kampionatin IHF Trophy për Evropë e më pas IHF Trophy Intercontinental për suksesin e madh. Është hera e parë që një kombëtare e Kosovës do të paraqitet në kampionat botëror.
Ministri Gashi ka uruar hendbollistët për sukseset e kaluara dhe u ka dëshiruar sukses në botëror.
“Kualifikimi juaj për Kampionatin Botëror në Spanjë është sukses i jashtëzakonshëm dhe historik. Dua të ju rikujtoj se keni përkrahjen time si ministër por edhe të Ministrisë që unë drejtoj pavarësisht rezultateve që do të sillni nga ky kampionat. Vet pjesëmarrja juaj në Kampionatin Botëror në Spanjë është një sukses i madh sepse bën të mundur që Kosova të jetë në mesin e 24 shteteve më të mira botërore”, ka thënë ministri Gashi. Në fjalën e tij ministri Gashi ka vlerësuar lartë edhe punën e Federatës tonë.
“Është e kuptueshme se për të ardhur deri te ky kualifikim është bërë një punë e palodhshme dhe e suksesshme nga ana juaj duke arritur fitore të shumta. Këtu dua të theksoj punën e shkëlqyer të Federatës së Hendbollit të Kosovës në organizimin e IHF Trophy Intercontinental që u mbajt gjatë muajit prill në Prishtinë sepse dihet se edhe nga Federata Ndërkombëtare por edhe nga federatat tjera pjesëmarrëse në gara, kjo ngjarje e madhe sportive u quajt Kampionat i jashtëzakonshëm”, ka theksuar ministri Gashi.
Kapiteni i Kombëtares U21, Jon Muqolli ia ka dorëzuar ministrit një medalje të artë të Kampionatit IHF Trophy, si shenjë përkujtimi.
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, ka folur për punën e Federatës dhe sukseset e arritura, që kulmuan me sigurimin e paraqitjes në kampionatin botëror. Poashtu presidenti Saraçini ka premtuar prezentim të denjë të shtetit në kampionatin botëror në Spanjë, ndërsa ka theksuar domosdoshmërinë e krijimit të kushteve për përgatitje të hendbollistëve për paraqitje sa më të mirë në kampionat botëror.
Priten takime tjera të drejtuesve të FHK-së me ministrin Gashi. Në ditët në vijim, ministri Gashi në bashkëpunim me krerët e FHK-së, do të bëjnë planin strategjik për suportimin e FHK-së për paraqitjen historike në kampionatin botëror në Spanjë.