Njëra prej hendbollisteve kryesore të kombëtares së Kosovës, Mirela Gjikokaj ka dhënë të martën një intervistë për faqen e internetit “Hanballspiller”, që shkruan kryesisht për lojtarët që bëjnë karrierë në Norvegji. Gjikokaj 19-vjeçare në intervistë ka folur edhe për përvojën e saj me Kosovën. Ajo ka mbi dy vite që luan për Kosovën, ndërsa deri më tani i ka rreth 20 ndeshje. Gjikokaj që me prejardhje është nga Deçani, luan në pozitën e bekut të majtë dhe po ofron gjithnjë e më shumë për ekipin tonë kombëtarë.
Shtatlartja Gjikokaj është pjesë e ekipit Follo që po luan me shumë sukses në kategorinë e dytë të Norvegjisë dhe që është në garë për kalim në elitë. Në ndeshjen e fundit Mirela i ka shënuar pesë gola dhe ishte më efikasja së bashku me dy lojtare tjera. Po të martën, Gjikokaj ka vazhduar edhe për dy vite kontratën me Follon, te i cili ekip ka kaluar para tri vitesh nga Langhusi.
Në intervistën e gjatë për faqen “Handballspiller”, Mirela ka folur edhe për përvojën te Kosova.
“Jam kontaktuar nga Federata e Hendbollit të Kosovës në vitin 2016 dhe jam pyetur nëse jam e gatshme të luaj ndeshje ndërkombëtare për Kosovën. E kemi vlerësuar këtë si një mundësi të madhe për karrierën time. Deri më tash i kam luajtur 20 ndeshje ndërkombëtare me Kosovën dhe kemi fituar ndaj Gjeorgjisë e Izraelit në paraeliminatore për kampionatin evropian të vitit 2018. Jam më e reja në ekipin përfaqësues, ndërsa më ndihmon shumë fakti që te Kosova jemi së bashku me Dorentina Osmanin, që e kam bashkëlojtare edhe në klub. Po shikoj para për paraqitje dhe suksese tjera me Kosovën”, ka thënë Gjikokaj. Ajo ka folur edhe për karrierën në Norvegji, për paraqitjet në këtë edicion dhe për planet për të ardhmen.
“Mendoj që Follo është ekipi i duhur për mua. Po punoj shumë çdo ditë që të përmirësojë lojën time dhe do të vazhdojë të punojë edhe më shumë që arrijë nivele sa më të larta. Synimi është që të luajë në elitë me Follon. Poashtu synoj të zhvillohem dhe të luajë edhe më mirë për Kosovën. Për këtë më duhet të luajë rregullisht dhe në nivel të lartë me klubin”, ka shtuar Gjikokaj.