Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Mirjeta Bytyqi po kthehet, gjashtë gola nga gjashtë tentime, shkëlqejnë edhe lojtaret tjera të Kosovës

Hendbollistja e Kombëtares së Kosovës, Mirjeta Bytyqi, po kthehet në formën më të mirë pas një pauze të gjatë.
Bytyqi të shtunën u paraqit për skuadrën sllovene, Mlinotest Ajdovshçina, në kuadër të raundit të dytë të Kupës Evropiane.
Skuadra sllovene humbi në Pragë nga Slavia Praga me rezultat 34:30. Bytyqi i shënoi gjashtë gola nga gjashtë tentime. Ajo pritet të jetë “armë shtesë” e Kosovës në ndeshjet që zhvillohen më vonë këtë muaj me Belgjikën dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Ndeshje në raundin e dytë të Kupës Evropiane të shtunën luajti edhe Kreuzlingeni zviceran. Humbi në shtëpi nga skuadra e madhe sllovake, IUVENTA Michalovce me rezultat 27:24.
Pjesë e Kreuzlingenit janë tri reprezentueset e rëndësishme të Kosovës. Aloja Fitore Aliu i shënoi pesë gola nga gjashtë tentime. Aloja tjetër, Albina Rugova i kishte tri gola nga tri tentime. Dy gola nga dy tentime i realizoi pivotja Dafina Mustafa.
Në elitën daneze, të shtunën u përballën motrat Marigona dhe Arlinda Hajdari. Fitore shënoi skuadra e Marigonës, Silkeborg-Voel, ndaj asaj të Arlindës, Bjerringbro, me rezultat 32:26. Dy prej bartëseve të lojës së Kombëtares së Kosovës dhanë kontribut të çmuar për skuadrat e tyre.
Kapitenja e Kombëtares së Kosovës, Leonora Demaj, shkëlqeu te Holstebro në kategorinë e dytë daneze. Demaj i shënoi tetë gola për ta udhëhequr Holstebron drejt fitores 32:27 ndaj skuadrës Sondermarkens. Kapitenja Demaj po kalon formë të lartë.