Mitat Ferati: Fitorja ndaj Italisë jep shpresë për të ardhmen

Kryetrajneri i Kombëtares U17 të Kosovës në hendboll, Mitat Ferati, është shumë i kënaqur me rritjen e nivelit të hendbollisteve tona gjatë Kampionatin Mesdhetar që po mbahet në Greqi.
Kombëtarja jonë të premten fitoi ndaj Italisë, ndërsa me këtë Kombëtare luan edhe të shtunën për vendin e shtatë. Por fitorja ndaj italianeve erdhi në vazhdën e rritjes së nivelit të ekipit kombëtar në ngjarjen e fortë në Greqi.
“Jemi përgatitur për këtë ngjarje. Vajzat kanë punuar me zell, mirëpo te disa lojtare mungon ende përvoja ndërkombëtare”, ka thënë Mitat Ferati.
Ai ka treguar se vetëm Spanja ka dominuar ndaj Kosovës, por spanjollet kanë dominuar edhe në ndeshjet tjera.
“Ndaj Malit të Zi kemi shfaqur lojë fantastike dhe kemi fituar pikë. Ndaj Kroacisë kemi qenë në pjesën e parë baras, 8:8, kurse ndaj Tunizisë kemi humbur në sekondat e fundit. Fitorja ndaj Italisë na jep shpresë për të ardhmen. Në çdo lojë kemi pasur shanse të mira për fitore, por nuk ishim efektiv në sulm. Kundërshtarët si Kroacia apo Mali i Zi e kanë përjetuar në lojë se nuk është Kosova më e dobët. Kjo tregon që grumbullimet e mëparshme kanë arritur qëllimin për përgatitje taktike dhe fizike”, ka shtuar Ferati.
Ai ka pasur disa grumbullime me këtë gjeneratë që në verë do të paraqitet në Evropianin në Turqi.
“Kjo gjeneratë ka potencial mirëpo duhet punuar ende shumë në të ardhmen jo vetëm në kombëtare por edhe në klubet prej nga vijnë vajzat”, ka thënë kryetrajneri Ferati.

Lajme tjera