Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Muhaxheri i kënaqur me përgatitjet për Botëror

Trajneri i Kombëtares U21 të Kosovës në hendboll, Fatmir Muhaxheri është i kënaqur me punën që po bëjnë juniorët para paraqitjes historike në kampionatin botëror që mbahet në Spanjë prej 16 deri më 28 korrik. Kombëtarja jonë e juniorëve është në fazën përfundimtare të përgatitjeve, ndërsa të hënën është udhëtimi për në Spanjë.

Kombëtarja ka nisur përgatitjet për Botëror më 16 qershor dhe tani puna është e fokusuar në përgatitje tekniko-taktike për ndeshjet në ngjarjen më të madhe. Është hera e parë që një kombëtare e Kosovës paraqitet në kampionat botëror në ndonjë nga sportet ekipore.
Kosova U21 ndeshjen e parë e luan më 16 korrik ndaj Kroacisë në Pontevedra.

“Përgatitjet deri më tani kanë shkuar shumë mirë. Nuk kemi pasur telashe me ndonjë lëndim dhe kjo është me shumë rëndësi. Tani po punojmë në aspektin teknik dhe taktik që të bëhemi gati për ndeshje. Problem mund të jetë mungesa e miqësoreve, por në përgjithësi kemi bërë punë shumë të mirë gjatë përgatitjeve”, ka thënë trajneri Fatmir Muhaxheri. Ai ka shtuar se akomodimi dhe kushtet janë në nivel shumë të lartë.


“Jemi të kënaqur me përkushtimin e lojtarëve dhe punën që është bërë me ta. Kemi qenë të angazhuar plot pesë trajnerë. Jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve dhe do të jemi të gatshëm për Botëror, ku natyrisht na presin ndeshje të vështira. Djemtë janë të vetdijshëm që po shkruajnë kapitull të ri në historinë e sportit kosovar dhe jemi të përkushtuar që të bëjmë më të mirën e mundshme”, ka shtuar Muhaxheri.

Puna në Prishtinë vazhdon deri të shtunën paradite. Lojtarët do të jenë të lirë të shtunën pasdite dhe të dielen paradite, ndërsa një stërvitje tjetër është paraparë për të dielen pasdite. Të hënën në mëngjes është udhëtimi për në Spanjë, ku kombëtarja jonë do të ketë dy stërvitje të shkurtëra para ndeshjes hapëse me Kroacinë.

Më pas Kosova luan me Hungarinë, Portugalinë, Brazilin dhe Bahrejnin, ndërsa në fund janë edhe ndeshjet për plasman.