Ndaj Turqisë nisën sukseset e Kosovës, fillimi i mbarë synohet edhe në Eskishehir

Ishte 6 nëntori i vitit 2016, kur Kombëtarja e Kosovës në hendboll e fitoi pikën e parë në ndeshjet zyrtare kualifikuese. Ishte faza e parë kualifikuese për Euro 2020, ndërsa në Prishtinë, Kombëtarja jonë u takua me Turqinë. Ndeshja kishte fund dramatik, ndërsa përfundoi 24:24.
Kosova deri atëherë nuk kishte pikë të fituara, sa i takon ndeshjeve kualifikuese. Kapiteni aktual, Valon Dedaj kishte realizuar penallti në fund për barazimin me Turqinë në Prishtinë.

Më pas rritja e Kombëtares ka qenë graduale, por e pandalshme. Erdhi fitorja ndaj Izraelit dhe barazimi pa fat me Poloninë. Paraqitja solide ndaj Gjermanisë, barazimi me Italinë dhe fitorja bindëse me Gjeorgjinë. Rritja vazhdoi me fitoren dhe barazimin me Rumaninë dhe ndeshjet e mira me Malin e Zi.

Tani është koha për të nisur një cikël të ri kualifikues, atë për Botërorin 2023. Synimi është i qartë, njëra prej dy vendeve të para në grup dhe avancimi tutje.

Grumbullimi bëhet të premten, ndërsa ndeshjen e parë e kemi të mërkurën e ardhshme. Takohemi sërish me Turqinë. Këtë herë në Eskishehir. Dhe synojmë pikë për ta hapur rrugën drejt fazës tjetër. Të dielën më 7 nëntor luajmë në Prishtinë ndaj Belgjikës. Ndeshjet tjera, duke përfshirë dy me Greqinë, i luajmë në janar.

Java e Kosovës po fillon. Shpresojmë të dalim prej saj me rezultate të mira e me disponim fituesi.

Lajme tjera