Ndërroi jetë profesoresha Shqipe Bajçinca-Brestovci

Komuniteti i hendbollit në Kosovë të dielën mori një lajm shumë të rëndë.
Ka ndërruar jetë Shqipe Bajçinca – Brestovci, personaliteti shumë i rëndësishëm i hendbollit kosovar dhe sportit kosovar në përgjithësi. Profesoresha Bajçinca – Brestovci deri në frymën e fundit ishte kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve të Hendbollit të Kosovës. Ajo ishte edhe anëtare e Bordit të FHK-së e po ashtu delegate e Federatës Evropiane të Hendbollit.
Është shquar me përkushtimin dhe seriozitetin në të gjitha pozitat që ka mbajtur. Profesoresha Bajçinca – Brestovci ishte edhe hendbolliste e suksesshme më pas edhe komesare e garave në Federatën e Hendbollit të Kosovës.
Aktivitetet në hendboll nuk i ka ndalur, ndonëse për shumë vjet është sfiduar nga një sëmundje e rëndë. Është parë si shembull për energjinë e jashtëzakonshme që kishte.
Për shumë vjet Shqipe Bajçinca-Brestovci ishte profesoreshë në Fakultetin e Edukimit Fizik në Universitetin e Prishtinës. Ka ligjëruar lëndë të shumta, ndërsa ishte shumë e afër me studentët.
“Lajmi për vdekjen e profesoreshës Shqipe Bajçinca – Brestovci na ka tronditur. FHK-ja dhe familja kosovare e hendbollit kanë mbetur pa një personalitet shembull që me energjinë dhe përkushtimin e saj i ka bërë të gjithë për vete”, shkruan presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini në telegramin e ngushëllimit për familjen e të ndjerës.
Shqipe Bajçinca – Brestovci ishte edhe anëtare e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Lajme tjera