Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Ndeshja dramatike i takon Prishtinës

Prishtina ka fituar ndeshjen dramatike të luajtur të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Prishtina e ka mposhtur Trepçën vendase me rezultat të ngushtë, 29:28.
Deri në minutën e 24-t, Prishtina ishte në epërsi prej një goli, ndërsa vendasit vetëm barazonin. Por me një seri të mirë, “xehetarët” krijuan epërsi prej 16:11, ndërsa pjesa e parë përfundoi 16:13.
Trepça mbajti epërsinë edhe në pjesën e dytë, por presioni i Prishtinës sa shkonte e rritej.
Në minutën e 58-të rezultati u barazua në 28:28, ndërsa më pas Prishtina shënoi edhe golin e fitores, 29:28.
Te Prishtina u dallua portieri Menot Pozhegu, që ndali shumë gjuajtje të vendasve. Më efikasi ishte Oltion Beshiri me 7 gola. 6 i shënoi aloja Lulzim Shabani. Në minutat e fundit u shqua edhe aloja tjetër, Enis Kuleta, që i shënoi golat vendimtar, duke përfshirë edhe atë të fitores. Te Trepça më efikasi ishte Shpëtim Mehmeti me 6 gola. Nga 5 i shënuan Egzon Ademi e Sali Maxhera.
Një xhiro para fundit të Superligës A, Prishtina është e dyta me 43 pikë, ndërsa Trepça renditet e treta me 31 pikë. Por mitrovicasit nuk e kanë siguruar ende pozitën e tretë. Rahoveci është i katërti me 30 pikë.