Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka shfaqur ndeshje të madhe të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Kombëtarja jonë humbi nga Sllovenia me rezultat 29:24, por ka dëshmuar se ka potencial që të garojë thuajse me të gjitha kombëtaret evropiane. Djemtë tanë kanë luftuar për çdo top dhe janë angazhuar maksimalisht nga fillimi deri në fund.
Ndeshja nisi mirë për ne, ndërsa epërsia në pjesën e parë në disa raste shkoi deri në tri gola. Sllovenët barazuan vetëm në minutën e 25-të, ndërsa më pas shënuan dy gola për 14:12.
Në pjesën e dytë Sllovenia ka mbajtur epërsinë, por Kombëtarja jonë ishte vazhdimisht në kërkim të barazimit. Kështu ndeshja ishte e fortë dhe e hapur deri në fund. Rezultati në fund ishte 29:24 për Slloveninë.
Për Kombëtaren tonë ishte disfata e dytë. Për Slloveninë ishte fitorja e dytë. Paraqitja e sidomos angazhimi, jep shpresë për rezultate pozitive në vazhdim të kampanjës kualifikuese.
Ndeshjet e ardhshme i luajmë në mars të vitit të ardhshëm.
Egzon Gjuka shënoi 6 gola nga 11 tentime. Drilon Tahirukaj shënoi 5 gola nga 5 tentime, kurse 4 gola nga 5 tentime i kishte Kastriot Jupa. Haris Berisha i kishte 7 pritje e Flamur Gërbeshi 3. Por të gjithë lojtarët kanë dhënë më të mirën dhe kanë luftuar deri në fund.